Zbulohen çarje të murit rrethues të kalasë së Durrësit, kërkohet ndërhyrje!

Aktivistë të shoqërisë civile, mbrojtës të trashëgimisë kulturore kërkojnë ndërhyrje urgjente për riparimin e murit rrethues të kalasë së Durrësit i cili ka pësuar dëmtime të mëdha.

Ky dëmtim është konstatuar në murin e Kalasë së Durrësit, në pjesën veriore të saj.

Kanë qënë banorët ata të cilët e kanë vërjetur të parët këtë çarje të thellë të murit.

Për të shmangur pasojat dhe dëmtimet edhe më të mëdha siç kanë ndodhur në Kullën C të kalasë kërkohet ndërhyrje urgjente.

Përfaqësues të shoqatës "Durrësi Autokton" thonë se nevojitet më shumë vëmendje nga pushteti lokal për vlera të tilla të rralla monumentale.

"Ka një rrezik dhe duhet ta restaurosh vazhdimisht sepse ajop që ndodhi në xhami, ku ra muri brenda nga tërmeti mund të ndodhë dhe këtu. Rrënjët që ndodhen atje mund të futen thellë në kala dhe të bjerë. Mund të ndodhin dy fatkeqësi, jo vetëm do bjerë muri i një monumenti por dhe të zërë njeri poshtë se këtu ka dhe banesa," tha Abdulla Deliallisi, Kryetar i Shoqates Durresi Autokton.

Të tilla dëmtime thotë aktivisti Geri Emiri tregojnë mungesën e ndërhyrjeve restauruese dhe atyre mirëmbajtëse.

"Ne shohim që shumë pranë zonës urbane ende janë të ruajtura një pjesë e mureve rrethuese të pajisura me kullat fortifikuese mbrojtëse.  Ato janë lënë jo vetëm pas dore por janë tërësisht jashtë tureve turistike dhe prania kaq pranë e banesave ka një rrisk për dëmtimin e këtyre strukturave arkeologjike," tha ai.

Ky nuk është rasti i parë që institucionet lënë pas dore monumentet e trashëgimisë kulturore në qytetin e Durrësit.