Forcat RENEA zbarkojnë në Elbasan, kontrolle për Suel Çelën, disa të shoqëruar

Forcat Speciale RENEA të Policisë së Shtetit kanë zbarkuar në Elbasan këtë të premte në një operacion kontrollesh dhe shoqërimesh që mësohet se po kryhet për llogari të hetimeve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK.

Një prej ambienteve të kontrolluara mësohet se është tregu agroushqimor në pronësi të fisit Çela.

Burimet thonë se se gjatë aksionit janë shoqëruar disa persona, por identitetet e tyre ende nuk konfirmohen, sikurse as çështjet për të cilat mund të kenë lidhje.

Tregu është në pronësi të Petrit Çelës, babai i Suel Çelës, i cili është në listën e shumë të kërkuarve të Policisë së Shtetit pasi akuzohet nga SPAK se ka porositur vrasje.

Suel Çela u shpall në kërkim policor në kuadër të operacionit "Plumbi i Artë" i finalizuar nga SPAK mbi bazë të dëshmive të Nuredin Dumanit.

Bashkëpunëtori i drejtësisë  ka dëshmuar se Suel Çela është porositës i tre ngjarjeve kriminale.

Çela, sipas vrasësit me pagesë, ishte porositësi i atentatit  të dështuar të 29 marsit ndaj Elton Kilës, ngjarje në të cilën  Dumani në rolin e ekzekutorit mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua.

Ekzekutimet e  Lulzim Mashës dhe Skerdi Tases janë dy krime të tjera që sipas Nuredin Dumanit janë porositur të nga Suel Çela, por që mbeten në tentativë.

Për këto akuza, GJKKO ka vendosur masën e sigurisë "arrest me burg" për Suel Çelën, prej majit të vitit të kaluar, por i riu nuk është vënë asnjë herë në pranga dhe në muajin shkurt të këtij viti kërkoi ndryshimin e vendimit përmes avokatit në GJKKO.

Edhe më herët forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në tregun agro-ushqimor në qytetin e Elbasanit, ku në vitin 2017 u përplas makina e ish-shefit të policisë, Gjergj Oshafi.