Mori banesë me qira në Sarandë, policia i kap në flagrancë duke luajtur poker, arrestohet 43 vjeçari (VIDEO)

Një 43 vjeçar në Sarandë është arrestuar nga policia pasi në banesën që kishte marrë me qira kishte krijuar një ambjent për të luajtur lojëra fati.

U proceduan penalisht 5 shtetas të tjerë, pasi u kapën duke luajtur poker, në këtë ambient.   

Me finalizimin e operacionit policor të koduar “Teksas”u arrestua shtetasi B. H., 43 vjeç, banues në Sarandë. 

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: R. Ç., 44 vjeç, Xh. H., 25 vjeç, B. T., 41 vjeç, B. B., 29 vjeç dhe A. D., 45 vjeç, banues në Sarandë.

"Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë me qira nga shtetasi B. H., në lagjen nr.4, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasit e lartpërmendur, duke luajtur poker me çipsa. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri dhe çipsa, 36 200 lekë të rinj, 3 265 euro, 230 paund, si dhe 6 aparate celulare," njoftoi policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.