Mafia shqiptare në Itali, ish-polici Giuseppe Monforte: Kriminelët shqiptarë të rrezikshëm, policia të pastrohet
Ish-polici i antimafias italiane autor i dy librave për krimin, nga shkodra ka folur për mafin shqiptare në itali. Duke i cilësuar të rrezikshëm bandat shqiptare, Xhuzepe Monforte tha se qytetarët duhet të fusin kulturën e denocnimit, ndërsa tha se policia duhet të pastrohet nga efektivët që bashkëpunojnë me krimin.
Ish-polici italian Giuseppe Monforte, i njohur me pseudonimin Gianni Palagonia i cilëson grupet kriminale shqiptare tejet të rrezikshëm kudo në Europë.
Nga Shkodra ku prezantoi përpara studentëve të fakultetit të drejtësisë librin e tij të dytë “Në duart e askujt” me histori reale nga koha kur ishte polic dhe se si u përball me grupet kriminale më të rrezikshme italiane, ai u ndal tek mafia shqiptare dhe sfida e institucioneve sot.
“Me sa i njoh janë shumë të rrezikshëm, punojnë me të njëjtin agresivitet, me të njëjtën dhunë dhe janë të shpërndarë goxha mirë në Europë dhe kanë mësuar shumë fatkeqësisht edhe nga Italia. Grupet kriminale shqiptare janë të fuqishëm, lëvizin shumë mirë dhe mendoj se të gjitha shtetet tashmë duhet të jenë shumë të përgjegjshëm për këtë, sidomos për trafikun ndërkombëtar të drogës”.
Lidhja e politikës me krimin edhe në Shqipëri mund të çrrënjoset vetëm nga qytetarët të cilët duhet të denoncojnë çdo rast tregon ish-polici italian që e njeh mirë realitetin shqiptar.
“Vetë qytetari duhet të jetë më i përgjegjshëm dhe duhet që të hyjë në kulturën e denoncimit. Në qoftëse ne denoncojmë një krim, një padrejtësi që ndodh atëherë edhe shteti edhe personat që kryejnë këto padrejtësi do të frenonin duke e ditur që qytetari është një njeri i përgjegjshëm dhe është i gatshëm për ta denoncuar krimin, kjo është e vetmja mënyrë për ta çrrënjosur krimin. “
Një problem i përhershëm mbetet edhe lidhja e elementëve të ndryshëm në policinë e shtetit me bandat kriminale.
“Ajo që duhet të bëjë policia është që të spastrojë nga radhët e veta këto element që kanë lidhje me krimin. Nëse unë si koleg di që dikush jep informacione krimit atëherë unë duhet të jem i pari që duhet ta denoncoj.”
Për Palagonian një shqetësim janë të rinjtë shqiptarë që kërkojnë të pasurohen shpejt duke u bërë pjesë e krimit.
“I bëj gjithmonë pyetje vetes se çfarë kënaqësie kanë bosët e mafies sepse në gjithmonë kur i arrestojmë i gjejmë në bunkere, nën tokë të vetmuar si minj me ca dyshekë dhe nuk e shijojnë jetën edhe pse kanë shumë para. Jeta duhet shijuar. Bosët e mafias cilësohen shpesh herë si burra nderi por si mund të jetë burrë nderi dikush që fut një fëmijë në acid vetëm se është fëmija i kundërshtarit,“ tha ai.
Gianni Palagonia vendosi që të shkruaj librin e tij të parë “Heshtja” me ngjarje reale nga jeta policore dhe pas suksesit botoi librin e dytë “Në duart e askujt”, të dy të përkthyer në gjuhën shqipe.