Agjërues që 14 vjeç, Rigejs Alushi prej 7 vitesh falet çdo ditë në xhami
Një besimtar mysliman nga Lezha tregon se ka nisur të agjërojë që në moshë të vogël. Muajin e Ramazanit e konsideron ushqim për shpirtin e u bën thirrje të rinjve të besojnë dhe të jenë të kujdesshëm më të tjerët.
Ishte fëmijë kur agjëroi për herë të parë.
Atëkohë jetonte jashtë Shqipërisë dhe ishin miqtë që e ftuan në rrugën e besimit islam.
"Për herë të parë kam filluar diku 14-15 vjeç kisha një besimtar dhe ai më shtyu si fillim," tha ai.
Prej 7 vitesh Rigejs Alushi nga Lezha falet çdo ditë në xhami.
Thotë se nuk ka munguar as kur vendi u izolua tërësisht nga pandemia e Covid 19.
"Edhe në kohën e Covid vinim fshehurazi për tu falur në xhami," tha ai.
Agjërimin përgjatë këtij muaj e konsideron ushqim për shpirtin.
"Tepër e veçantë, nuk ka ushqim për shpirtin. Është kënaqësi,nuk e imagjinoj dot jetën pa muajin e Ramazanit," tha ai.
Thotë se besimi i ka mësuar të jetë i përulur, mirënjohës, i duruar dhe i kujdesshëm në sjellje me të tjetër.
"E kemi detyrim ti kërkojmë falje zotit pasi gabojmë thuasje çdo moment, ndoshta dhe më një fjalë të gabuar," tha ai.
Muaji i Ramazanit, të cilin besimtarët myslimane e konsiderojnë si më të rëndësishmin e vitit, përfundon në 20 Prill.
