4 mijë turistë çdo fundjavë, Belshi vizitohet në çdo periudhë të vitit nga shqiptarë e të huaj

Vetëm përgjatë fundjavave Belshi vizitohet nga afro 4 mijë persona. Turistët që vijnë edhe nga jashtë Shqipërisë thonë se i tërheq natyra dhe qetësia e qytetit buzë liqenit.

Në Belsh ka vizitorë në çdo muaj të vitit.

Vijnë nga qytete të ndryshme por edhe nga jashtë Shqipërisë.

"Unë jetoj në Gjermani, vijmë nga Durrësi. Hera e parë që vijmë, shumë bukur.

Unë vij prej Puke, shumë interesant.

Ka ndryshuar shumë para 3-4 vitesh," thanë ato.

I tërheq natyra dhe liqenet e shumta përreth. Ndër vizitorë ka nga ata që kërkojnë më tepër investime.

"Të kalosh Belshin është rrugë lagjeje. Duhet rruga të jetë më i lirë qarkullimi," tha Albert Hysa, specialist i turizmit.

Përfaqësues të Bashkisë thonë se vetëm në fundjavë, qyteza buzë liqenit vizitohet nga rreth 4 mijë persona.

"Kemi një numër të lartë vizitorësh, ku në vitin e fundit, çdo fundjavë kishim nga 3-4 mijë vizitorë vendas dhe të huaj," tha ai.

Jo vetëm qyteti por edhe zonat më në periferi janë tepër të frekuentuara nga turistët.

"Si atraksion janë dhe liqenet që kemi, 84 të tilla ku spikasin liqeni i Sefernit, Mërjojës, i Belshit që është i vizitueshëm. Ka korsi të këmbësorëve dhe biçikletave," tha ai.

Edhe pse një atraksion turistik i veçantë, në Belsh mundësitë e punësimit, dhe ndërtimit të jetesës janë të pakta ndaj vitet e fundit qyteti dhe fshatrat përreth tij janë përballur me largime masive.