"Luis, grushto për Shqipërinë!" 17 vjeçari Luis Gjolena do të përfaqësojë vendin tonë në europian

Luis Gjolena po stërvitet për të përfaqësuar Shqipërinë në kampionatin europian të Boksit për moshën deri në 18 vjeç me peshën 86 kg.

Në raftin e trofeve dhe medaljeve ku vec të tjerash qëndron dhe ajo e kupës së botës, Luisi ka bërë një vend edhe per atë që synon të marrë në europian.

"Synoj medalje, të dal mirë që besoj se do të ndodhë. Më pas them të bëj ndeshje tek të rriturit," tha ai.

Ishte 12 vjec kur u angazhua me këtë sport me shtysën kryesore nga i ati .

"Shtysa ka qënë babi. Unë hyra të bie nga pesha pasi kam qënë pak obez. Kam provuar dhe sporte të tjera por të boksi gjeta veten," tha ai.

Kujton garat  me moshatare ne lagje dhe shkollë, dhe prej andej ëndërronte ringun.

"Kam qënë pak i praptë dhe zihesha në rrugë. Gjatë asaj jave thoja një ditë do hy në ring e do tregoj veten," tha ai.

Megjithse duket si një sport i dhunshëm, boksi kërkon që mbi të gjitha të jesh inteligjent dhe i vëmendshëm.

"Nuk ka të bëjë forca por mendja sa mudn të kapësh kundërshtarin," tha ai.

Pas europianit për këtë grupmosh, synon të bëhet pjesë e profesionistëve

Të ardhmen nuk e sheh në Shqipëri.

"Ideja është të lëvizësh jashtë, të ngresh flamurin tënd," tha ai.

Trajneri Sead Bushati tregon se te luisi ka parë disa karakteristika të rëndësishme për këtë sport.

"Për Luizin kam përshtypjet për një sportist të nivelit të lartë. E veçanta e tij është se është shumë inteligjent, i planit teknik. Ka veti të mira që në të ardhmen të jetë një sportist i madh," tha ai.

E ardhmja e boksit shqipar është në duar të Luisit dhe të bashkëmoshatarëve të tij të talentuar.
Veç përkushtimit dhe dashurisë për sportin, Luis Gjolenën e ndihmon shumë stërvitja me kampionët shqiptarë të boksit si Denis Nuraj, Alban Bermeta etj.