Mbappe drejt fundit të aventurës, PSG shikon drejt projektit me të rinjtë e akademisë
Humbja e PSG në Gjermani përballë Bayern Munchen rikthen pikëpyetje të mëdha rreth të ardhmes së Kylian Mbappe, lojtari që të gjithë e kërkojnë por askush nuk mund ta prekë për shkak të çmimit stratosferik që Al Kheleifi ka vendosur për “kokën” e tij.
Talenti i sulmit të PSG, njëkohësisht një nga lojtarët më të mirë në qarkullim, po mendon seriozisht largimin në fund të sezonit edhe pse ka ende dy vite kontratë me klubin e Ligue 1. As afrimi i ekspertit të Champions, Sergio Ramos dhe i një drejtori të ri sportiv si Luis Campos, nuk e ka bërë të suksesshme skuadrën e PSG dhe duket se ciklit të numrit 7 në Francë, i ka ardhur fundi.
Champions League nuk është thjesht një çështje parash dhe në Paris e kanë kuptuar një gjë të tillë. Klubi ka nisur të investojë tek të rinjtë dhe këtë e tregoi edhe në Mynih teksa Galtier aktivizoi talentin 17-vjeçar, Chadaille Bitshiabu por edhe 16-vjeçarin Warren Zaïre-Emery.
Një shtysë e madhe për të shitur Mbappe mund të bëhet edhe fakti që brenda vitit 2025, PSG duhet të reduktojë ndjeshëm pagat për të hyrë në normat e fair play financiar dhe 75 milionët që Mbappe arkëton në 1 sezon, janë një peshë shumë e madhe që me një lëvizje të vetme, PSG mund ta shkarkojë.
