VKM për ndërtesat mbi 50 vjet, Preçi: Pikëpyetje të mëdha, Institutin e Ndërtimit e shndërron në institucion tenderash

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, kritikon VKM që parashikon auditimin e godinave mbi 50-vjeçare.

I ftuar në "Ora e Betit" ai thotë se ky akt ka pikëpyetje të mëdha mbi dobinë publike.

Preçi: Jemi një shoqëri që vazhdojmë të mbetemi reaktive dhe jo proaktive, emocionale dhe jo racionale. Meqenëse ndodhi tërmeti në Turqi dhe ka presion nga ata që kanë mbledhur shumë para, bëhen bashkë këto dy interesa dhe vijmë te ky projektvendim. 6 çështjet që njihen si çështje të auditit teknik janë të zgjidhura me akte ligjore. Nuk mundet një projektvendim qeverie të prekë një ligj apo edhe Kushtetutën kur vjen puna për pronësinë.

Janë pikëpyetje të mëdha dhe kemi të drejtë të ngrejmë dyshime mbi dobinë publike të një akti të tillë për mos thënë pastaj implikimet që krijon me të gjitha institucionet. E shndërron Institutin e Ndërtimit në institucion tenderash, licencash. Krijon licenca mbi licencat ekzistuese. Përfshin bashkinë në një shërbim të deleguar që e kanë Inspektoriatet aktualisht.