BE mesazh urimi mësuesve shqiptarë: Dijeni se përpjekjet tuaja vlerësohen
Delegacioni i Bashkimit Europian, në Tiranë përcolli sot një mesazh urimi për të gjithë mësuesit, në ditën e tyre.
“Gëzuar Ditën e Mësuesit të gjithë mësuesve të mrekullueshëm në Shqipëri, veçanërisht atyre që shkojnë përtej për të siguruar që çdo fëmijë, pavarësisht nga aftësitë që zotëron, të marrë një arsim cilësor”, thuhet në mesazhin e Delegacionit të BE-së.
Një nderim të veçantë Delegacioni i bëri, Evis Gazhelit, mësueses së përkushtuar, që prej më shumë se 33 vitesh mëson fëmijët me vështirësi në dëgjim.
“Sot, dëshirojmë t’i bëjmë një nderim të veçantë zonjës Evis Gazheli, mësueses së përkushtuar, që prej më shumë se 33 vitesh mëson fëmijët me vështirësi në dëgjim. Angazhimi juaj për të krijuar një mjedis mësimor gjithëpërfshirës dhe për të thyer barrierat e komunikimit është vërtet frymëzues. Jemi krenarë që e mbështesim atë, si dhe të gjithë mësuesit e fëmijët, në Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë në Tiranë nëpërmjet programit të BE-së për Arsimin Gjithpërfshirës”, citohet mesazhi i Delegacionit.
Delegacioni inkurajon mësuesit të vazhdojnë përpjekjet e tyre në drejtim të mësimdhënies si dhe premton mbështetje.
“Vazhdoni punën e mrekullueshme dhe dijeni se përpjekjet tuaja vlerësohen. BE-ja do të vazhdojë t’iu qëndrojnë pranë”, thuhet më tej në mesazhin e Delegacionit.


