Mësuesja e gjimnazit të elitave: Mesatarja duhet të jetë kriter për Mësuesinë, s'mund të ketë mësues pa bagazh, kulturë e pasion

"Duhet përzgjedhur mësuesi, duhet motivuar".

Ky është mesazhi i Përparime Kasoruhos, mësuese letërsie në pension, në këtë 7 Mars.

"Mësuesi ka 7 Marsin po 7 Mars duhet ta ketë përditë. Duhet ta bëjë detyrën i përkushtuar dhe nxënësit ta respektojnë shkollën. Të heqin dorë nga disa vese që i kultivoi koha. Nxënësit sot janë shumë të avancuar sepse punojnë me teknologjinë. Por fakti se e kalojnë kohën më të madhe celular në dorë është e palejueshme. Kënaqësinë që të jep libri kur e lexon…"

Ajo ka dhënë mësim për mbi 20 vite në gjimnazin "Asim Zeneli" në Gjirokastër, në të cilin janë shkolluar figura të shquara letrare.

E ftuar në Rtv Ora ajo thotë se mesatarja është një element kyç në përzgjedhjen e arsimtarëve.

"Në brezin tim, inspektorët e Komitetit Ekzekutiv thoshin se ne mendohemi mirë se kë do të çojmë mësues në gjimnazin me tradita "Asim Zeneli". Nuk kishte mësues që të vinte me mesatare poshtë 8".

Uljen e mesatares e sheh të lidhur me mungesën e dëshirës së të rinjve për të ndjekur këtë profesion.

"Është ulur për vetë kushtet se unë shikoj se jo të gjithë kanë dëshirë të shkojnë për mësues. Gjinia mashkullore nuk ka shumë dëshirë. Por duhen motivuar, rrogat po ngrihen, dëshira duhet kultivuar. Por mesatarja duhet të jetë një kriter për mësuesit, duhet të ketë bagazh, kulturë dhe pasion. Ai pasion na ka mbajtur".