Morën peng Nikoll Bunën, Gjykata pezullon me një 1 vit gjyqin për Martinaj e Nikën. Vendoset shënim në TIMS për njoftimin e tyre

Gjykata e Kurbinit, ka vendosur të pezullojë gjykimin e dosjes kundër biznesmenit të lojrave të fatit, Ervis Martinaj dhe mikut të tij, Nikolin Nika.

Dy miqtë akuzohen nga prokuroria e Laçit për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë” ndaj shtetasit 63-vjeçar, Nikoll Buna.

Por për shkak se Martinaj dhe Nikolin Nika, nuk dihet se ku ndodhen dhe gjykimi zhvillohet në mungesë të tyre, trupi gjykues që ka në shqyrtim këtë çështje, ka vendosur pezullimin e gjykimit, duke lënë një afat 1 vjeçar për lokalizimin dhe njoftimin e dy të pandehurve.

“Ora News” ka mësuar se gjykata e Kurbinit, njëherësh ka urdhëruar komisariatin e Policisë Kurbin, që të vendosë shënim në sistemin kufitar TIMS, për Martinaj dhe Nikolin Nikën me qëllim ndalimin e tyre në rast kalimi në pikat kufitare.

Hetuesit thonë se kjo është një procedurë formale që kryhet në të tilla raste, pasi askush nuk mund të presë që Ervis Martinaj apo qoftë dhe miku i tij Nikolin Nika, të kalojnë pikat kufitare.

Aq më tepër se qysh prej datës 8 Gusht 2022, Martinaj është zhdukur pa adrresë në qytetin e Shijakut dhe prej 8 muajsh, nuk ka asnjë të dhënë nëse është gjallë apo të jetë vrarë.

Kurbini, është e njëjta prokurori që po heton çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Martinaj. Por kjo gjë nuk i ka penguar prokurorët e Laçit, të marrin të pandehur biznesmenin për një çështje tjetër kriminale, të ndodhur në 2 tetor 2021 në fshatin Fushë-Kuqe.

Sipas dosjes hetimore pikërisht në këtë datë Ervis Martinaj së bashku me mikun e tij, Nikolin Nika, kanë marrë peng dhe keqtrajtuar duke e kanosur me jetë një 63-vjeçar të quajtur Nikoll Buna.

Denoncimi në polici është bërë nga ky i fundit, por nuk ka dhënë shpjegim se pse është marrë peng, nga Martinaj dhe Nika.

Dyshimet policore flasin për një makinë të vjedhur në Fushë-Kuqe, nga djali i të dëmtuarit Nikoll Buna dhe besohet se kjo ka qenë shkaku i këtij konflikti.

Dy autorët e krimit Martinaj dhe Nika, janë marrë zyrtarisht të pandehur në 28 shtator 2022. Ndërsa tashmë gjykata e Kurbinit, ka vendosur të pezullojë me një afat 1 vjeçar procesin gjyqësor ndaj tyre.