Derbi i kryeqytetit/ S’ka favoritë në statistika. 20 vite mankth për Tiranën, Partizani humbës me trofe

Sot në orën 19:00 në “Air Albania Stadium”, Partizani do të presë Tiranën në derbin numër 194 të historisë. Tre pikë diferencë mes dy skuadrave me bardheblutë lider të klasifikimit, një ndeshje ku diferencat do të jenë të vogla ashtu siç janë edhe statistikat e historisë së kësaj sfide që ka dhuruar përherë emocione.

“Demat e kuq” kanë dominuar totalisht në 18 vite, 1947-1965 duke mos i lejuar asnjë fitore ekipit bardheblu. Ndërkohë, në ndeshjet për llogari të kampionatit, Partizani ka një avantazh të dukshëm fitoresh me 69 të tilla përballë 46 të bardhebluve dhe 51 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Më dominues janë shfaqur në kupë bardheblutë që regjistrojnë 13 fitore dhe 8 humbje në 28 ndeshje. Partizani ka shënuar 253  gola dhe Tirana e ka ndalur topin në rrjetë 213 herë, por përballja më e rëndësishme, ajo e trofeve të fituar, është dukshëm në krahun e bardhebluve, 25 herë kampionë, 9 tituj më shumë se rivalët. Me një Kupë diferencë Tirana kryeson edhe në garën e këtij trofeu ku numëron 16 ndaj 15 që ka arritur të hipotekojë Partizani.