Real Madrid bën sërish “vetëvrasje”, barazim pa gola në Sevilla kundër Betis (VIDEO)

Carlo Ancelotti nuk arrin të gjejë formulën e vazhdimësisë për Realin e Madridit këtë sezon, të paktën në kampionat ku diferenca me Barcelonën është rikthyer e frikshme për ambicjet e klubit të bardhë.

Nuk shkoi më shumë se barazimi me rrjeta të paprekura në Andaluzi skuadra kampione e Spanjës që u ndesh me murin bardhjeshil të skuadrës vendase.

Në “Benito Villamarin” u zhvillua një ndeshje shumë e luftuar por ekipi i trajnerit Manuel Pellegrinit regjistroi një ndeshje shumë të mirë, duke rrezikuar madje edhe ta fitonte këtë përballje që për Realin mund të rezultojë vendimtare.

Barazimi e shkëput në 9 pikë nga Barcelona që mundi Valencian me një gol të brazilianit Raphinha, ndërsa Real Betis me 41 pikë është vetëm 3 pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Real Sociedad.