Policia zbarkon në shesh para protestuesve, rrethohet Kryeministria, Çuçi takon Ramën
Teksa është thirrur protesta e opozitës, Policia e Shtetit ka zbarkuar në terren, ku ka nisur rrethimi i godinave qeveritare në zonën ku do të mbahet tubimi.
Me qindra trupa policia ka zbarkuar rreth Kryeministrisë, ndërsa pak minuta më parë në zyrën e Ramës është parë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili mesa duket është thirrur të raportojë mbi masat e marra nga Policia e Shtetit për mbarëvajtjen e kësaj proteste, por edhe ku ka dhënë direktivat e tij.

Ndërkaq, Policia më herët ka bërë të ditur se nga ora 10:00 do të bllokohen disa rrugë deri në përfundim të tubimit.
Rrugët ku do të bllokohet qarkullimi: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Revolta e protestuesve
Sa i përket protestuesve me mijëra qytetarë janë nisur nga qytete të ndryshme të vendit për t’u bashkuar nbë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Nga pamjet që vijnë nga gazetarët tanë disa nga protestuesit e sotëm janë shprehur të revoltuar për arsyet e pjesëmarrjes në protestë. Ata thonë se janë gati të bëjnë gjithçka vetëm që kryeministri të largohet nga qeveria. Protestuesit arsyetojnë që pjesëmarrja e tyre vjen prej kushteve të rënda ekonomike, por jo vetëm. Një prej tyre madje thotë që është gati të japë dhe jetën për familjen e tij, popullin dhe Berishën.
