Sqaron Prokuroria: Në qershor Hutra u dënua me 1 vit burg për dhunë, viktima u mor në mbrojtje

Përmes një njoftimi për mediet Prokuroria e Tiranës bën me dije se lidhur me Dan Hutrën, është regjistruar procedimi penal për ‘Dhunë në familje’.

Më datë 16.06.2022, shtetasja Elena Hysa, ka njoftuar shërbimet e policisë se ndihet e rrezikuar nga shtetasi Dan Hutra, i cili ndodhej në banesën e saj.

Për ngjarjen është pyetur edhe shtetasja K.H., e cila deklaroi se e bija është keqtrajtuar. Ajo ka deklaruar se ka biseduar me bashkëshortin dhe nuk duan që të kenë probleme me familjen dhe njerëzit e shtetasit D.H., dhe se kërkojnë që vajza të heqë denoncimin dhe të mos merret shteti me këtë punë.

E pyetur nga ana e Policisë Gjyqësore nëse është kanosur nga shtetasi Dan Hutra, në banesën e saj, ajo nuk ka pranuar t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Për këtë ngjarje, është plotësuar kërkesë për urdhrin e mbrojtjes së shtetases E.A.

Duke pasur parasysh se ky shtetas shfaqte rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe nga verifikimet rezulton se shtetasi Dan Hutra, ka qenë person i dënuar për vrasje dhe i dënuar me 25 vite burgim (kryer 13) pasi në vitin 2007 ka vrarë bashkëshorten e tij, u vendos arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi.

Prokurori i çështjes, Robert Kote, kërkoi dërgimin në gjyq me Hutrën të pandehur i akuzuar për ‘Dhunë në Familje’ kërkoi dënimin e tij me 1 vit e 6 (gjashtë) muaj burg.

Meqenëse gjykimi u zhvillua i shkurtuar, ndaj kësaj mase dënimi u kërkua të aplikohet neni 406 i Kodit të Procedurës Penale duke i ulur 1/3 e dënimit.