Mbanin peng vajzën si punonjëse seksi, policia jep detaje nga hetimet: Si ranë në pranga tutorët në Fier
Tre persona janë arrestuar në Fier pasi dyshohet se kishin marrë peng dhe kishin detyruar një 24 vjeçare të ushtronte prostitucion kundër dëshirës së saj.
Në kërkim u shpall organizatori i veprimtarisë që kishte bashkëpunuar me tre të arrestuarat.
Policia sot ka zbardhur hetimet në lidhje me arrestimet dhe si funksiononte skema e prostitucionit.
"Bazuar në provat e siguruara nga hetimi proaktiv dymujor, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Imponimi”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Shfrytëzimi i prostitucionit" dhe "Mbajtja e lokaleve për prostitucion", i shtetaseve:
-P. I., 32 vjeçe, banuese në Patos, A. T., 19 vjeçe, banuese në Fier dhe i një 17-vjeçareje banuese në Fier. 32-vjeçarja ishte me masë sigurie "Arrest në shtëpi", për veprën penale "Mbajtja pa leje e armëve të ftohta".
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. M., 33 vjeç, banues në Fier, organizator i kësaj veprimtarie kriminale (i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë).
33-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetaset e ndaluara, i kanë hequr lirinë, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës, një 24-vjeçareje dhe e kanë shfrytëzuar atë për prostitucion, në banesa me qira dhe hotele të ndryshme në qytetin e Fierit.
Vijon puna për kapjen dhe vënien para drejtësisë të 33-vjeçarit, organizator i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast," njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.
