Sylvinho promovon Shqipërinë: Puna këtu nuk mungon!
Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho flet në Brazil për median “Estadao” në lidhje me eksperiencën e saponisur me ekipin kuqezi ku ndalet në shumë detaje interesante. Ai thekson fillimisht se është zhytur i gjithi në punë për të ndërtuar një skuadër konkurruese duke analizuar çdo detaj të mundshëm të lojtarëve që do të thërrasë për eleminatoret ndërsa shton se të paktën 7 prej tyre luajnë në Itali e pjesa më e madhe në Serie A.
“Të tjerët luajnë në Angli, Spanjë, Turqi dhe Greqi. Unë ndjek dhe kampionatin vendas teksa kemi vënë re 2-3 futbollistë të rinj me shumë talent për të qenë pjesa jonë”.
Në vijim ai shton se ka besim që Shqipëria mund të kualifikohet në Euro 2024 ndërsa listën do ta publikojë në datën 5 mars. Sylvinho ndalet më tej edhe tek jeta e re me shqiptarët.
“Kur pranova ofertën e Shqipërisë, e dija mjaft mirë që synimi i tyre ishte një trajner i huaj. Qëllimi kryesor është të kualifikohemi në “Euro 2024. Kam udhëtuar në vitet e fundit në Brazil, Japoni, Australi apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. M’u deshën pesë vite për përfundimin e kursit të UEFA-s. Kam humbur pushime të rëndësishme. Ne, brazilianët, jemi trajnerë të mirë, që dimë të punojmë, jemi premtues dhe pa dyshim duam kohën tonë. Unë jam i lumtur që jam mes tyre. Gjuha shqipe është një nga më të vështirat e botës. Ndryshe nga sa thonë njerëzit, puna këtu në Shqipëri nuk mungon”.
