Skandal në futbollin kosovar, Llapi akuzohet për trukimin e ndeshjeve me qëllim përfitimi
Në Francë raportojnë për trukime ndeshjesh nga skuadra e Llapit në Kosovë. Dy gazetat më të mëdha të vendit, “Le Figaro” dhe “Le Parisien” shkruajnë se ekipi i Superligës së Kosovës është i dyshuar për trukim në të paktën 4 ndeshje me qëllim përfitimi nga bastet.
Klubi nga Podujeva ka reaguar menjëherë duke përgënjeshtruar e hedhur poshtë akuzat. Raportimi është bërë nga dy gaztetat në fjalë pasi mendohet që ndeshjet janë luajtur në kompanitë franceze të basteve dhe Llapi tentoi të përfitonte rreth 360 mijë euro nga këto lëvizje. Gazetat citojnë një institucion hetues në Nancy që thekson:
“Shërbimi Qendror i Garave dhe Lojërave (SCCJ) ka hetuar për gati një vit korrupsionin sportiv dhe mashtrimin e organizuar që përfshin një klub futbolli të divizionit të parë në Kosovë. Analiza e koeficienteve dhe video-incizimeve të disa ndeshjeve bëri të mundur konfirmimin e manipulimit të rezultatit të disa prej tyre”.
Lëvizjet kanë qenë të mirëmenduara dhe të organizuara nga një grup i ngushtë familjarësh 22-50 vjeç që jetojnë në Kosovë e Francë, lëvizjet e të cilëve janë studiuar gjatë muajve të fundit, ndërsa dyshohet se pjesë e lëvizjecve janë edhe drejtues të klubit e lojtarë të Llapit të cilët janë dorëzuar përballë presionit të drejtuesve për të toleruar. Bastet janë vendosur në faqen online “Française des jeux” që bllokoi lëvizjet duke mos lejuar transferimin e parave. Për këtë ngjarje janë ndaluar 9 persona ndërsa KF Llapi reagon publikisht:
“Ndonëse vonë, me shkas po iu drejtohemi me këtë komunikatë për shtyp. Kryesia e K.F. Llapi ka analizuar me vëmendje shkrimet e fundit në portale dhe gazeta të ndryshme në të cilat është përmendur emri i klubit tonë kinse për kurdisje ndeshjesh. Ftojmë gjithë tifozët llapjanë që mos të bien pre e këtyre shkrimeve tendencioze dhe qëllim keqe që kanë për qëllim të njollosin emrin e klubeve të caktuara dhe vetë Superligës. K.F. Llapi ju njofton se nuk ka asnjë informatë të vetme të konfirmuar nga organet e hetuesisë rreth këtyre pretendimeve sic janë publikuara nga portalet dhe gazetat e ndryshme. Ne si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë edhe tifozët që mos të shqetësohen sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim. Jemi të fokusuar 100% vetëm për ndeshjen me Prishtinën dhe nuk ka forcë që na ndal drejt arritjes së objektivave tona”.

