Manchester United mbetet amerikan, pronarët aktualë tërhiqen dhe dalin kundër tifozëve
Ndryshojnë planet e familjes Glazer që duket se është tërhequr nga inisiativa për të shitur Manchester United. Data 17 ishte caktuar si e fundit për prezantimin e ofertave për shitjen e klubit, por pronarët aktualë edhe pse nuk pëlqehen nga tifozët, kanë vendosur të qëndrojnë në krye të klubit më të titulluar të Anglisë.
Lajmin e bën të ditur “Daily Mail” që citon burime nga bursa e New York ku aksionet e Manchester United janë ulur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit. Glazer kërkojnë që të shesin për 7 miliardë dollarë klubin por sheikët nga Katari kanë prezantuar një ofertë që shkon deri në 5.5 dhe jo më shumë.
Hapi i parë që do të ndërmarrin pronarët aktualë për të shëndoshur financat e klubit është rritja e çmimit të biletave çka mund të shkaktojë pakënaqësi të mëdha. Rritja e çmimit do të jetë rreth 5 %, e para në 11 vite.
