U gjenden gati 130 mijë euro të padeklaruara, prangosen 2 drejtuesit e autobusit të linjës Bari-Durrës
Goditet në hyrje të portit të Durrësit, një tjetër rast rast i mosdeklarimit të një shume të madhe eurosh.
Falë operacionit policor të koduar “Linja”u sekuestruan 125 050 euro dhe u vunë në pranga 2 drejtuesit e autobusit të linjës Bari-Durrës.
"Është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, autobusi i linjës Durrës-Bari-Durrës, që drejtohej nga shtetasit D. M., 53 vjeç, banues në Vlorë dhe J. O., 31 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit në autobus, poshtë 2 sediljeve, u gjetën të ngjitura me natriban 67 460 euro.", njofton policia.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit D. M. iu gjetën 9 500 euro, ndërsa shtetasit J. O. iu gjetën 48 090 euro.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithsej 125 050 euro.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit D. M. dhe J. O., për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
