Universitetet nesër në shesh, pedagogu Lush Susaj: Politikat idiote po shkatërrojnë universitetet

Pedagogët do t’i rikthehen sërish protestave. E para për këtë vit do të mbahet të mërkurën e 22 shkurtit. Dhe lidhur me këtë i ftuar në “Ditë e Re” në RTV Ora pedagogu Lush Susaj theksoi se protesta do të nisë në orën 12:00, ku kryefjalë e saj është kundërshtimi i0 vendimit të qeverise që aktivizoi nenin 12 të ligjit të arsimit të lartë për kthimin e universiteteve në institucione publike të pavarura ose fondacione.

Susaj theksoi se protesta e pedagogëve vjen si reagim pas thellimit të krizës në universitete dhe kërkesave ende të paplotësuara nga qeveria.

Sipas tij, ky vendim i qeverisë do të sillte shkatërrimin e universiteteve publike.

“Universitet shqiptare janë shumë herë më keq se ç’kanë qenë, dhe kjo falë politikave idiote të ndjekura ndër vite. Kjo pasi edhe nisvli arsimor ka ardhur në rënie dhe nuk ka gjasë për përmirësim", u shpreh pedagogu.

Protestat e pedagogëve në universitete nisën në tetor të vitit të kaluar, me bojkotin e vitit të ri akademik.

Por pas përçarjes së stafeve akademike, lëvizjet e sindikatës jashtë auditorëve nuk zgjatën më shumë se një muaj e gjysmë. Qeveria vendosi të rrisë me 15% pagat e tyre, por vetëm 7% nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër 8% do të sigurohej nga të ardhurat e universiteteve. Ndërsa kërkesat e pedagogëve për dyfishim të pagës u cilësuan të paarsyeshme në kohë krize.