Privatizimi i ish-ndërmarrjeve bujqësore, Mediu: Po marrin ata që s’kanë lidhje me tokat dhe jo pronarët e ligjshëm
Shqyrtimi i projektligj për përfundimin e procesit të privatizimit të objekteve të ish-ndërmarrjeve bujqësore ka shkatuar debate në Komisionin Parlamentar të Ligjeve mes përfaqësuesve të opozitës në Komision dhe atyre të mazhorancës dhe qeverisë.
Deputeti Fatmir Mediu ngriti shqetësimin se pse nga ky privatizim nuk përfitojnë pronarët që deri më tani nuk kanë marrë asnjë pronë të tyre,m ndërsa hodhi dyshimet se këto prona të ish-ndërmarrjeve bujqësore po u jepen personave që nuk kanë lidhje me tokën, por që i shfrytëzojnë ato thjesht për qëllime biznesi.
“Ka qenë 120 mijë hektarë e ndërmarrjeve bujqësore që mund të shfrytëzoheshin shumë mirë për shpronësimin e pronarëve. Dhe e gjithë kjo situatë kriminale e ka bazën tek ligji i vitit 1995. Ndërkaq AgjensiA E Kthimit të pronave do bënte mirë të jepte ndonjë pronë pasi ka vite që nuk e bën një gjë të tillë.
Por kjo dhe një gjë tjetër. Të mos harrojmë se ato janë toka truall tashmë, dhe nuk janë më tokat të ish-ndërmarrjevce bujqësore. Sepse qytetet janë ekspanduar në mënyrë të tillë dhe të gjitha këto janë kthyer në toka truall dhe janë kthyer në investime industriale apo në investime ndërtimi.
Prandaj mendoj se ndoshta ne si ligjvënës duhet t’i thërrasim mendjes për të gjykuar përsa i përket drejtësisë së këtyre ligjeve, dhe njëkohësisht për të korigjuar maksimalisht dhe për t’i dhënë pronarëve atë që iu takon.
Dhe dua të di nga Ministria nëse ka një vlerësim se këto prona që duhen privatizuar uu epen personave që nuk kanë asnjë lidhje dhe nuk jetojnë atje, por i marrin objektet dhe i tjetërspojnë për qëllime biznesi, dhe nga ana tjetër kemi pronarë që nuk përfitojnë asgjë dhe që anë pronarë trualli ne vazhdojmë në një paligjshmëri që është krejtësisht pa sens e pa logjikë”, u shpreh Mediu.
Deputeti Gazmend Bardhi në fjalën e tij në këtë mbledhje tha se është kundër miratimit të këtij ligji.
“Duhet të grupoheshin të gjitha me një ligj që të përfundohej procesi i regjistrimit. Nëse nuk ka rregullim specifik do të ishte më e udhës të ndërhyhej në atë ligj, sesa të kthehemi në një situatë që po vetë Kuvendi e ka rregulluar. Sa kohë ka një ligj kuadër çmoj që miratimi i një ligji shtesë është i panevojshëm.
A është vlerësuar nga Këshilli i Ministrave mundësia për të pasur një ndërhyrje që të trajtojë këtë specifikë? Në premtimin që është sjellë nuk ka një afat se kur përfundon ky proces. Pra çfarë nevoje ka për të pasur një ligj shtesë? Dhe a është parë mundësia për të ndërhyrë?”, tha Bardhi.
Gjithashtu edhe demokrati tjetër Enkelejd Alibeaj ka shprehur një qëndrim kundër, duke theksuar se nuk po bëhet asgjë tjetër, veçse po ringjallet padrejtësia e 32 viteve më parë.
"Është e qartë për këdo se rezulton se është një iniciative ligjore që nuk duhet të kalojë. Ka një indiferencë dhe neglizhencë ndaj procesit legjislativ. Nuk është kaq e thjeshtë çështja. Ky proces i privatizimit të objekteve të ndërmarrjeve bujqësore, ka qenë abuziv. Sot po vazhdohet të mbahet gjallë abuzimet e bëra 32 vite më parë. Kushtetuta në nenin 181 të saj e përcakton qartë procedurën. Ju po ringjallni padrejtësinë e 32 viteve më parë. Nuk kompensohen më prona", u shpreh Alibeaj.

