Peshkopia: Kosova feston, por s’është e pavarur. BE s’është zgjidhja magjike as për Kosovën, dhe as për Shqipërinë

“Kosova feston pavarësinë, por jo e pavarur”! - Është kjo deklarata e studiuesit Ridvan Peshkopia, i cili në një intervistë për “Ora News”, theksoi se ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës meritojnë të jenë në Kosovë, dhe jo në burg siç po ndodh me ish-krerët e UÇK-së që prej më shumë se një viti po hetohen për krime lufte.

Duke marrë shkas nga 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, në analizën e tij, Peshkopia theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen në kohë paqeje dhe jo në kohë lufte. Pasi, siç tha ai, Beogradi i mban me para serbët në Veri të Kosovës, të cilët nuk heqin dorë nga destabilizimi i shtetit të ri ballkanik.

Ndrësa lidhur me qëndrimet e ndërkombëtarëve ndaj procesit të Dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, pedagogu Peshkopia theksoi se ndërkombëtarët janë pjesë e problemit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo sepse tha ai, ata duket se janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim për ta patur Serbinë në krah të tyre.

Ndërkaq lidhur me aspiratat e dy shteteve shqiptare për integrimin në familjen europiane, Ridvan Peshkopia u shpreh se BE nuk është zgjidhja magjike as për Kosovën, dhe as për Shqipërinë.