Sergio Mattarella uron Osmanin: Shpresoj të pranoni propozimin evropian. Urim për Pavarësinë dhe nga Mbreti Charles III
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nga presidenti i Italisë, Sergio Mattarella.
Në letrën e tij, presidenti Mattarella ka uruar presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës, duke potencuar marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve.
“Konteksti aktual evropian e bën gjithnjë e më urgjente arritjen e një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uroj sinqerisht që propozimi evropian për marrëveshje ndërmjet palëve të mund të pranohet. Kjo është edhe në dobi të perspektivës së Kosovës për integrim evropian, të cilën Italia e mbështet bindshëm”, thuhet në letrën e urimit të presidentit Mattarella.
Vjosa Osmani ka marrë urime dhe nga Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.
“Dëshiroj t'i shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe popullit të Republikës së Kosovës urimet e mia më të përzemërta në këtë ditë të veçantë për vendin tuaj me rastin e Ditës së Pavarësisë. Pres me padurim vazhdimin e miqësisë së ngrohtë dhe partneritetit të fortë mes dy vendeve tona, gjersa po përballemi me këto kohë sfiduese", thuhet në letrën e urimit të Mbretit Charles III i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.
