Mes kaosit në Kuvend, PS vendos: Mocioni me Ramën për “McGonigal” në 2 mars. Braçe voton kundër
Maxhoraca vendosi të mbajë seancën e mocionit me debat dhe interpelancën me kryeministrin Rama,për çeshtjen Mc Gonigal, me 2 mars, vetëm një ditë para protestës kombëtare të thirrur nga opozita.
Kartoni i vetëm brenda shumicës, kundër seancës, ishte ai i Erjon Braçes.
Propozimi u paraqit nga zv. kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj. Duke iu referuar rregullores së Kuvendit, tha se mocioni duhet zhvilluar brenda 30 ditësh nga data e kërkesës ajo zgjodhi ditën e fundit të afatit.
Felaj konfirmoi edhe prezencën e kryeministrit në seancë, i cili deri tani e ka shmangur këtë përballje të kërkuar nga deputetët e opozitës.
“Kërkuat që pjesë e rendit të ditës të jetë mocioni me debat. Meqënëse kryetarët e Grupeve parlamentare nuk janë mbledhur për ta caktuar ditën e zhvillimit të kësaj, me cilësinë e Nënkryetares së Kuvendit ju propozoj një datë të mbajtjes së mocionit me debat që është edhe brenda afatit, 30 ditë brenda paraqitjes së kërkesës.
Kërkesa për mocion me debat është paraqitur më datë 2 shkurt. Është protokolluar më datë 3 shkurt, që do të thotë se brenda datës 2 mars ne duhet ta zhvillojmë. Kush është dakord për këtë propozim? Votojeni hapur. Kush është dakord që mocionit me debat që i janë bashkuar edhe interpelanca dhe të gjitha pyetjet për të njëjtën çështjen, do të zhvillohet më datë 2 mars. Kush është dakord?Votohet me karton.
(Bilbilë dëgjohen në seancë)
Mocioni me debat sëbashku me interpelnacën urgjente do të mbahet në datën 2 mars.”, u shpreh Felaj.
Më herët, avokatinë e kryetarit të saj e bëri Ministrja për Marrëdhëniet me Shtetin dhe Parlamentin Elisa Spiropali, e cila tha në Kuvend u shpreh se deputetët e opozitës po mbrojnë një non-grata duke bllokuar foltoren.
Gjithashtu theksoi se ndaj kryeministrit Edi Rama nuk ka asnjë çështje në SHBA.
"Duan sot të hetohen krime që ekzistojnë vetëm në kokën e tyre. Nuk ka një çështje që i takon kryeministrit as në SHBA dhe askund. Ju jeni të lirë të trilloni.
Ne nuk e kemi vënë kurrë në diskutim zhvillimin e një mocioni me debat për t’i vënë kapak kësaj historie që nuk ka lidhje me ne por me situatën tuaj të brendshme.
Jeni kthyer në ndihmësa të non-gratë dhe në njerëz që i mbani qiririn një njeriu që nuk do të ketë më kthim”, tha ajo.