"13 pyetje Sulltanit" Berisha: Mocioni do bëhet në Surrel nëse Rama nuk vjen në Kuvend, paqësor e urtë e butë

Mocioni me debat i opozitës me kryeministrin Rama do të zhvillohet në Surrel, nëse kryeministri nuk paraqitet në Kuvend. Këtë e ka bërë të ditur kreu i PD-së Sali Berisha para protestuesve. Ndërsa aleati i tij, Ilir Meta deklaroi nga sheshi para Parlamentit se Rama do të asgjësojë demokracinë, por shpejt tha ai, do nisë llogaridhënia.

Për të dytën herë brenda javës, opozita e mbështetës të saj u mblodhën para Parlamentit. Në shesh i nxori sërish çështja “Mcgonigal” për të cilën ende nuk janë përballur me Kryeministrin Edi Rama.

Opozitarët që nuk i janë bashkuar Kryetarit Berisha, në Parlament u futën nga e njëjta derë me kolegët deputet të mazhorancës. Thanë se protestën do e zhvillojnë nga foltorja.

Ndërsa Alibeaj e nënçmoi protestën.

Kryetari i PD iu bashkua mbështetësve të tij gati një orë pasi protesta kishte nisur. U kujdes të theksonte disa herë se revolucioni duhet të jetë paqësor e për rezultatin e tij, që do të jetë fitorja, kërkoi durim.

"Le të betohemi këtu, në emrë të të gjtihë atyre që përfaqësojmë, ai mocion po nuk u bë në parlament do të bëhet në Surrel. Paqësor, urtë e butë, kështjella e të keqes është Surreli, ne do shkojmë atje ku struket ai", theksoi Berisha.

Pasi u vendos dy marsi për mocionin me debat aq shumë të kërkuar nga opozita për çështjen “mcgonigal” Berisha tha se pyetjet në lidhje me ish-agjentin e FBI Kryeministrit do ja bëjnë në Surrel.

"Paqësisht do tja numërojmë të gjitha pikat e mocionit. Po doli të japë përgjigje mirë, po s'doli të rrijë aty. Por Surreli do të jetë objekt i revolucionit paqësor. Shkojmë aty dhe i themi kemi 13 pyetje o Sulltan," tha ai.

Për Kryetarin e Partisë së Lirisë, Kryeministri Rama po asgjëson demokracinë.

"Asgjesimi i demokracisë dhe pluralizmit politik është skenari që ka marrë të zbatojë Rama. Vetëm demokracia e mbron Shqipërisë dhe shqiptarët", u shpreh Ilri Meta.

Tre orët e protestës së të enjtes kaluan të qeta.

Vetëm ky protestues hipur mbi kalë tentoi një moment të kalonte kordonin e efektivëve të policisë.

Në oborrin e Parlamentit u hodhën disa tymuese por pa pasoja.

Sali Berisha protestën e përfundoi në seli nga ku deklaroi se revolucioni do të vijojë.