Rrafshimi me tritol i hotelit në Sarandë, në pranga djali i njërit prej pronarëve, vendosi tritolin

Është identifikuar dhe arrestuar autori i vendosjes së tritolit në hotelin që u rrafshua mëngjesin e 13 shkurtit në Sarandë.

Ai është djali i njërit prej pronarëve të hotelit që ishin në gjyq për pronësinë që prej 2002.

Falë hetimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, për rreth 12 orë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit:

-Sotir Çabiri, 36 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

Ai është djali i shtetasit Spiro Çabiri, bashkëpronar i këtij hoteli, së bashku me shtetasin Dhimitër Evangjeliu.

"Ky shtetas, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, shtetasi S. Ç., 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin E. Dh., për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi E. Dh., proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit E. Dh," njoftoi policia.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.

Sekuestrohen veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.