PL hedh tezën e parë për “14 majin”, Kërpaçi: Transport publik falas në Tiranë
Partia e Lirisë nis artikulimin e tezave të para politike në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Nënkryetarja e kësaj partie Floida Kërpaçi përmes rrjeteve sociale hedh tezën e transportit publik falas për qytetarët e Tiranës.
“A mund të kemi transport publik falas në Tiranë?
Në Prishtinë me një biletë që kushton 80 cent, udhëtohet 24 orë në linjat e transportit urban (përveç linjës 1A).
Pra, me koston e 1 kafe, qytetarët e Prishtinës udhëtojnë 24 orë për të shkuar në punë, shkollë, etj.
Goxha diferencë me Tiranën ku kostot e transportit urban janë shumë të larta, ndërsa kushtet e tij, larg pritshmërive për pagesën që kryhet.
Unë do kisha dashur, siç dhe e kam shprehur vazhdimisht, që Tirana kryeqytet të kishte transport publik falas.
Po, FALAS!
Është komplet e realizueshme dhe financiarisht e mundur, për aq kohë sa nga taksat tona gjendet mundësia të financohen projekte si ai inceneratorëve, ku shërbimi i marrë nuk ka lidhje me pagesën shumë të lartë që kryhet.
Tirana me transport publik falas, do të ishte një lehtësi e shumëpritur për të rinjtë, të moshuarit, nënat dhe të gjithë punojësit. Duke ulur ndjeshëm kostot e transportit, përdorimin e makinës, trafikun apo dhe ndotjen nga qarkullimi.
Shumë gjëra të mira mund të bëhen në Tiranë. Duhet vetëm pak kujdesje për qytetin dhe banorët e saj.
14 Maji, ditë e madhe për ndryshimin cilësor që meriton Tirana”, shprehet nënkryetarja e PL-së, Floida Kërpaçi.


