EMRI/ Arrestohet në Itali 33-vjeçari shqiptar, pjesëtar i një grupi kriminal. Ishte shpallur në kërkim nga Interpoli
Një prej personave të kërkuar nga operacioni i fundit antidrogë mes Shqipërisë dhe Italisë është vënë në pranga në shtetin fqinj.
Ramazan Grada po mbahet në arrest deri në finalizimin e procedurës së ekstradimit në Shqipëri pas dërgimit të dosjes nga SPAK.
Ndaj të kërkuarit është caktuar më herët masë arrest në burg në mungesë si pjesë një grupi të shitjes së lëndëve narkotike.
Në vitin 2019, Ramazan Garda së bashku me dy persona të tjerë shitën 35 mijë euro heroinë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj 33-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në operacionin mes Shqipërisë dhe Italisë u godit një organizatë kriminale me drejtues tre shtetas shqiptarë të identifikuar si Braniol Liço, i njohur edhe me emrat Branjol Liço dhe Braniol Aga, Gernard Beu i njohur edhe si Gernard Liço ose Gernard Ago dhe Emirjan Beu.
NJOFTIMI:
Shkëmbimi i informacionit në kohë reale, mes Interpol Tiranës dhe homologëve italianë, bëri të mundur kapjen në Itali të një 33-vjeçari të kërkuar ndërkombetarisht si pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e narkotikëve.
Gjatë 24 orëve të fundit, 33-vjeçari, shtetasi i tretë i kërkuar ndërkombëtarisht që vihet në pranga falë bashkëpunimit me partnerët.
Si rezultat i i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore italiane, u bë i mundur lokalizimi, kapja në Itali dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar:
– R. G., 33 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga veprimet hetimore të kryera me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të 33-vjeçarit, ka rezultuar se në datat 29.03.2019 dhe 05.04.2019, ky shtetas, në bashkëpunim me 2 të tjerë, i kanë shitur një shtetasi tjetër, një sasi lënde narkotike heroinë, kundrejt shumës 35 000 euro.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për esktradimin e shtetasit R. G., drejt Shqipërisë.

