“Ngelin” nxënësit e shkollave publike në Shkodër, 32% e maturantëve nuk shkuan në universitet

32 përqind e maturantëve që përfunduan gjimnazin në vitin 2022 në Shkodër nuk kanë ndjekur Arsimin e Lartë.Shifrat shqetësuese dolën pas analziës së arsimit në Shkodër, ndërsa e njëjta analzië nxori se nxënësit që mësojnë në një institucion privat kanë rezultate më të larta sesa ato që janë në institucionet publike.

Nxënësit e shkollave Jopublike në Shkodër kanë rezultate më të larta sesa ato të shkollave publike në provimet e maturës shtetërore.

Në këtë përfundim ka arritur analiza e vitit 2022 e Zyrës Vendore Arsimore në Shkodër.

"Arsimi jopublik në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi ka pasur një rezultat më të lartë në krahasim me arsimin publik," tha Brisela Kadia, Drejtore ZVA Shkodër.

Një tjetër shifër shqetësuese është se afro 32% e maturantëve të shkollave të Shkodrës në vitin e kaluar nuk e kanë ndjekur arsimin e lartë.

"1134 maturantë që përbëjnë 68.27% të maturantëve ndjekin tashmë universitetin," tha ajo.

Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni vuri theksin tek problemet e infrastrukturës në disa shkolla të Shkodrës si dhe kërkoi që shkollat publike të rrisin rezultatet e tyre krahasuar me shkollat private.

"Përmirësimi i kushteve, ngrohja, mungesa e infrastrukturës së banjove, eleminimi i ngrohjes me gaz, që deri tani janë 10 shkolla të parregullura," tha ajo.

Gjatë analizës njëvjeçare të Zyrës Vendore të Arsimit në Shkodër u vendosën edhe disa objektiva që lidhen me përmirësimin e rezultateve në të ardhmen dhe zhvillimin e mëtejshëm të shkollave.