"Gërdeci”, dosje e re për fishekët: SPAK dorëzon në gjykatë dosjen ndaj Fatmir Mediut

15 vjet pas tragjedisë së gërdecit, pikërisht në muajt e parë të këtij viti, spak ka hapur një dosje të re për këtë çështje. Hetimet po zhvillohen për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me rolin e kompanive Edvin dhe AEY që dyshohet se kanë dërguar në SHBA me paketim e çmime të ndryshuara, fishekët që duhej të ishin demontuar në Gërdec. Njëherësh SPAK ka dorëzuar në gjykatë dosjen e parë me të pandehur fatmir mediun për shpërdorim detyre.

Në vitin 2023 prokuroria e posaçme ka hapur një dosje të re për tragjedinë e Gërdecit të ndodhur 15 vjet më parë. 

Hetimi i ri lidhet me tregtimin e municioneve të ushtrisë shqiptare që dilnin nga magazinat për tu demontuar në Gërdec dhe përfundonin në SHBA të shitura me paketim të ndryshuar përmes disa kompanive ndërmjetëse.

Lajmi u bë i ditur në deklaratën e SPAK për dërgimin në gjyq të ish-ministrit Fatmir Mediu që akuzohet për shpërdorim detyre në pjesën e dosjes që flet për shpërthimin e Gërdecit. Sipas prokurorisë, i pandehuri Fatmir Mediu akuzohet në lidhje me proçesin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve që është zhvilluar në ambientet e ish “Brigatës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, Bashkia Vorë.

Në dosje thuhet se Mediu në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin dhe V.K.M Nr.138, date 14. 03. 2007, të cilat kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe kanë sjellë avantazhe të padrejta për shoqëritë SAC inc dhe Albademil sh.p.k.

Në përfundim të hetimeve paraprake SPAK ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të Fatmir Mediut.

Nga ana tjetër, gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

SPAK njofton se me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Kompanitë “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida kanë dalë në pah edhe në hetimin e parë të prokurorisë për Gërdecin, pas konstatimit të dërgimit në SHBA të municioneve shqiptare të cilave u fshihej origjina kineze. Përveç këtij manipulimi kompanitë ndëmjetëse dyshohet se janë përdorur për të rritur me dyfish çmimin e municioneve.