Braimllari: Abuzime marramendëse, për shkak të korrupsionit e blejmë më shtrenjtë energjinë
Partia e Lirisë, përmes nënkryetarit të saj Endrit Braimllari denoncoi abuzimin “marramendës” – siç e cilësoi Braimllari, në sistemin energjetik shqiptar.
“Qytetarët shqiptarë vidhen hapur nga abuzimet në sistemin energjetik. Investimet marramendëse rreth 1 miliard euro janë hedhur për të ulur humbjet në rrjet dhe në vazhdojmë të jemi përsëri vendi me humbjet më të larta në Europë në vlerën e 20%.
Sipas planifikimit strategjik të vetë Rilindjes këto humbje në vitin 2019 duhet të ishin në vlerën e 14%, pra në 2023 duhet të ishim shumë më pak se 14%.
70 % e humbjeve të sistemit tonë energjetik vijnë si pasojë e amortizimit të rrjetit dhe pse OSHEE çdo vit planifikon qindra miliona euro investime nga taksat e qytetarëve, për të ulur humbjet dhe kjo gjë nuk realizohet. Sepse është e qartë, paratë e qytetarëve vidhen duke rënduar mbi buxhetin e familjeve shqiptare.
Keqmenaxhimi i sistemit energjetik me qëllim vjedhjen e qytetarëve tani është evident. Për shkak të korrupsionit, ne blejmë energji me çmim shumë herë më të lartë dhe shesim me çmim shumë më të ulët se tregu.
Nën frymën e propagandës së qeverisë, arrestohen qytetarë të pafajshëm në kushtet e mbijetesës për mos pagim të faturave të energjisë elektrike ndërkohë vetëm borxhi i ndërsjelltë i ndërmarrjeve shtetërore në raport me OSHEE shkon 1.3 miliard euro.
Teksa qytetarët arrestohen dhe dërgohen para drejtësisë asnjë nga drejtuesit e OSHEE dhe KESH nuk mban përgjegjësi për abuzimet e tyre marramendëse në kurriz të qytetarëve. Rilindja kërcënojnë hapur qytetarët se do të vendosin fashat e rritjes së çmimit të energjisë, për shkak të korrupsionit të tyre dhe jo për arsye të krizës energjetike.
Ndaj të nderuar qytetarë për t’i dhënë fund abuzimit, vjedhjes, mashtrimit, papërgjegjshmërisë, çmimeve të larta, mungesës së vendeve të punës ju ftojmë në protestën e 11 shkurtit ora 12:00.
11 shkurti është dita e përgjigjes, e ndryshimit dhe e fillimit të fitores së qytetarëve mbi bandën plaçkitëse të Rilindjes”, tha Braimllari.


