Miliona euro për sigurinë kibernetike/ SHBA-BE: Shqipëria s'është vetëm! AKSHI të bashkëpunojë me institucionet
Ministrja e jashtme Olta Xhaçka, e cilësoi sulmin kibernetik të Iranit si një akt lufte ndaj Shqipërisë. Në përgjigje të këtij sulmi SHBA po ndihmojnë me një paketë prej 50 milionë dollarësh ndërsa Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, tha në konferencën për sigurinë kibernetike se ndihma nuk është kufizuar vetëm në programe e pajisje, por edhe në trajnime. Ambasadorja e BE Hofman tha se programet e BE për këtë sektor kanë një buxhet prej rreth 100 milionë euro, ndërsa kërkoi që AKSHi të bashkëpunojë me institucionet e tjera për rritjen e sigurisë kibernetike.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ndihmojnë Shqipërinë në një përgjigje ndaj sulmit kibernetik të Iranit, përmes një pakete prej 50 milionë euro. Në një konferencë mbi këtë temë, Ambasadorja Yuri Kim, theksoi se ndihma konsiston jo vetëm me pajisje e programe por edhe me trajnime e shkëmbim eksperience.
Yuri Kim: "ShBA dhe Shqipëria po zbatojnë një nga përpjekjet tona më të mëdha të ndihmës kibentike, që arrin në 50 miljon dollarë. Ndihma kibernetike e SHBA nuk është e kufizuar në pajisje dhe programe kompjuterike, por ne po zgjerojme trajnimet dhe shkëmbimet me ekspertët e shtetit Shqiptar me sulmet kibernetike".
Ministrja e jashtme Olta Xhaçka e cilësoi aktin e Iranit një veprim agresioni të ngjashëm me luftën dhe krejt të paprovokuar.
Olta Xhaçka: "15 korriku ishte një akt agresioni shtetëror të paprovokuar kundër një vendi të pavarur e sovran. Nuk u sulmuam me raketa e me dronë, eksplozivë dhe nuk pati ndërtesa të shkatërruara e të vrarë nëpër rrugë, kjo është e vërtetë, po u sulmuam me kode dhe tastjera".
Ambasadorja e BE në Tiranë, Christiane Hohmann i bëri thirrje Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të bashkëpunojë me institucionet e tjera, për rritjen e sigurisë kibernetike. Ajo vuri në dukje se edhe BE, ashtusi SHBA i erdhi në ndihmë Shqipërisë.
Christiane Hohmann: "Sulmet kibernetike kanë goditur disa shtete, jo vetëm Shqipërinë, por është detyra jonë të marrim mësimet e duhura dhe të reagojmë në mënyrë më të fortë"
Krerët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshme theksuan se sulmi ishte një zhvillim negativ, por që i shërbeu vendit për ta kthyer sigurinë kibernetike në prioritet.


