Gugallja u lokalizua në Vjenë, Sula: I ka bërë mirë llogaritë, do kërkojë strehim politik për të shmangur ekstradimin

14 muaj nga shpallja në kërkim, Stela Gugallja është zbuluar në Austri. 

Deputeti, Dash Sula, deklaroi për "Ora e Betit" se aksionerja e kompanive që ndërtuan incineratorin e Fierit dhe të Elbasanit i ka bërë më llogartë, duke aluduar se do të kërkojë azil politik për të shmangur ekstradimin në Shqipëri.

Sula: Ka përshtypjen se Gugallja i ka bërë mirë llogaritë dhe mesa duket do kërkojë strehim politik. Nuk besoj se do ekstradohet.Mos mendoni se agjencitë ligjzbatuese tonat nuk kanë pasur informacione.Si Zoto, Mërtiri dhe Gugallja të gjithë kanë ikur me ndihmën e shtetit, e sigurt 1000%. Segmente të caktuara të policisë apo persona të tjerë që kanë pushtet i kanë ndihmuar të dalin nga Shqipëria me kollare dhe thasë. Është tragjike, komike, e turpshme, për të ardhur keq.

Ai thotë se SPAK do të mbetet vetëm në nivelin e kërkimit të ekstradimit.

Sula: Detyrën do ta bëjë SPAK, do të kërkojë ekstradimin. Jemi turbulluar nga truri të gjithë, nuk të bën përshtypje asgjë më. Shpresa është vrarë, njerëzit janë bërë mosbesues, jemi në rrugë pa krye.

Sa i takon hetimit të ish-ministrit Ahmetaj, ai tha se do të mbetet me shpresën se organet e drejtësisë do të përmbushin detyrën e tyre.

Sula: Unë besoj se te drejtësia por presioni politik është jashtëzakonisht i madh. Ky vend nuk shpëton nga zgjedhjet politike. Çështjes së incineratorëve i ka dalë lakuriq gjithçka.