Berisha publikon fotot dramatike nga tërmeti: Shprehim edhe njëherë ngushëllimet dhe solidaritetin tonë për Turqinë dhe Sirinë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, teksa ka publikuar pamje nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti tragjik që tronditi Turqinë dhe Sirinë dhe bilanci i viktimave sa vjen e rritet, ka shprehur sërish ngushëllimet për popujt e dy vendeve të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.

“Thellohen përmasat e tragjedisë nga termeti 7,8 ballësh që goditi Turqinë Qendrore dhe Sirinë Verilindore.

Të dashur miq, bilanci tragjik i dy tërmeteve të fuqishëm që goditën dje Turqinë Qendrore dhe Sirinë Verilindore është bërë katastrofik. Agjensia Reuters njofton se në zonat e Turqisë kanë humbur jetën nga termeti 3800 banor, janë të plagosur mbi 20 mijë banorë dhe janë shkatërruar mbi 6 mijë banesa kurse në zonën e Sirisë janë mbi 1500 viktima dhe mijëra të plagosur.

Përpjekje të jashtëzakonshme janë bërë nga autoritet turke në kërkim-shpëtimin, ndihmë mjeksore dhe sistemimin e banorëve të mbetur pa streh.

Me këtë rast shprehim edhe njëherë ngushellimet më të ndjera familjeve të viktimave solidaritetin tonë njerëzor për popullsinë e dëmtuar nga tërmeti dhe lutemi për jetën e të plagosurve, shërimin e tyre si dhe shpëtimin e jetës dhe të të gjithë atyre që  lëngojnë nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti”, shprehet Berisha në mesazhin e tij.