Arlind Qori: Mos u çudisni nëse Gugallja thotë nga Austria "Unë jam Nelson Mandela i Shqipërisë"

Kryetari i 'Lëvizjes Bashkë', Arlind Qori, duke komentuar lokalizimin e Stela Gugalles në Austri tha në "Ora e Betit" se paragjykimi që ekziston në Shqipëri për gjyqësorin mund ta favorizojnë në marrjen e azilit politik.

Arlind Qori: Shteti e kap lepurin me qerre, është i fortë me të dobëtit dhe shumë i dobët me fortit. Shteti është bashkëpunëtor i atyre që bëjnë abuzimet. Ju thatë së Gugallja ka kërkuar azil politik në Austri, si ka mundësi që një njeri i dyshuar për korrupsion të ketë shpresë se do të fitojë azil politik në një vend si Austria? Ose edhe drejtësia austriake është e korruptuar, ose ajo do të përfitojë nga fakti se Shqipëria rëndom konsiderohet si një vend jo demokratik dhe si një vend me gjyqësor jo në nivelin e duhur. Dëmtohemi dy herë, vidhemi herën e parë dhe pastaj edhe kur duam të dënojmë ndonjërin prej abuzuesve ekziston mundësia që zonja në fjalë të dalë si heroinë, të marrë azil politik dhe të thotë: Unë jam Nelson Mandela i Shqipërisë që po më persekutojnë për arsye politike. Këtu është skandali i shumëfishtë. Do të doja që kjo çështje të hetohej me imtësi dhe çdo i akuzuar ta ndjente presionin e drejtësisë dhe të shtrëngohej, të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë në mënyrë që kjo koka e qelbur e peshkut të dilte me fakte. Duhet të provohen dhe përgjegjësit të ndëshkohen. Kam dyshimet e mia se kjo do ketë sukses.