Si të mos përmbytet Shkodra?! Eksperti Ismet Teli tregon planin e tij

Sa herë ka reshje intensive Nënshkodra përmbytet dhe për ditë të tëra uji bllokon shtëpi dhe qindra hektarë sipërfaqe.Deri tani asnjë plan nuk ka rezultuar efektiv.
Eksperti i ujrave Ismet Teli, tha se ka një plan për shmangien e përmbytjeve në zonën e Shkodrës, ndërsa deklaroi se atë ia ka propozuar të gjitha ministrive të linjës por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje.

Përmbytjet janë kthyer në një refren të vazhdueshëm për territorin e Bashkisë Shkodër, ku thuajse çdo vit dhjetra hektarë, shtëpi e biznese “zhyten” në ujë.

Për vite me radhë asnjë projekt për shmangien e përmbytjeve, nuk ka rezultuar efektiv.

Specialisti i ujrave Ismet Teli e ka gati një projekt për eleminimin e përmbytjeve të cilin ja ka dorëzuar institucioneve shtetërore, por që deri më sot ka mbetur pa përgjigje.

Ai konsiston në thellimin e lumit Buna dhe rikthimin e tij në një lum të lundrueshëm.

"Duhet impenjimi qeveritar, i cili është zero.

E kemi parashikuar që të vijë deri në 18 metra thellë Buna," tha ai.

Nuk pajtohet me idenë e ekspertëve të huaj pasi siç shprehet Teli, Shqipëria ka mjaftueshëm të tillë që janë të zotë për të zgjidhur problemin në fjalë.

"Nuk kemi nevojë për të huaj, sepse në grupin tim, unë s'jam zoti, jamë me shokë. Ne kemi inxhinierë gjeollogë palentologë me doktoraturën në Paris, inxhinier  gjeollogë për sizmike me doktoraturën në Gjermani," tha ai.

Në fund ai nuk pajtohet as me idenë se përmbytjet  Shkodrës i vijnë nga hidrocentralet, duke dhënë argumentin e tij.

"Në qoftë se eleminohet përmbytja ashytu siç them unë, hapni të gjitha portat nuk arrihet të përmbytet Shkodra," tha ai.

Plani i ndërhyrjes që propozon eksperti Teli, shkon në 40 milion euro pa TVSH, ndërsa siç e ka shprehur në shkresën dorëzuar ministrive, që nga përmbytjet e 2010-ës, humbjet e deklaruara janë 160 milion euro.