Armand Duka në "Ora Sport": 50 % e të ardhurave nga bastet t'i përfitojë sporti
Presidenti i FSHF, Armand Duka flet në “Ora Sport” edhe për ligjin e sponsorizimit.
Pyetje;
President, çfarë po bëhet me ligjin e sponsorizimeve?
Ligji i sportit nuk do të ndryshojë shumë, por ajo që unë dhe ne kemi kërkuar është të punojmë si do të financohet sporti. Vitet e fundit është investuar në stadiume por kjo nuk mjafton.
Përderisa buxheti nuk parashikon financimin as për mësues, ky është problem. Ne kemi propozuar që të ketë një lidhje direkte mes sportit dhe biznesit nëpërmjet një ligji që krijon një fond për sportin.
Deri tani nuk është marrë parasysh. Kemi qenë iniciatorë të ligjit të basteve që 50% e të ardhurave nga bastet duhet t’i përfitojë sporti. Unë mendoj që nuk duhet të luhen baste por sot luhet në të zezë dhe unë mendoj që të ardhurat t’i marrin fëmijët".
Do të ndryshojë skema e kampionatit me 10 skuadra?
"Për një të ardhme të shkurtër nuk duhet të ndryshojë. Nuk mund të luajnë të gjitha skuadrat në Superiore. Në Shqipëri luhet futboll edhe në nivelet e tjera. Luhen 600 ndeshje në javë dhe për të arritur në Superiore duhet të ndërtojnë skuadra më të forta. Çdo skemë ka argumentat pro dhe kundër por unë mendoj që peshorja anon te kjo skemë sepse ne kemi provuar të tjera. Kjo skemë me 10 skuadra prodhon më shumë garë dhe shkon drejt mundësisë te zero çështja e tolerimit".
A ndihesh xheloz që Kategoria e Parë i ka marrë pak vëmendjen Superiores për emrat që ka?
"Nuk flitet me emra, por me kontribiute. Ke emra të mëdhenj që në Itali, Gjermani apo Spanjë nuk figurojnë më".
Duka u ndal më pas te prania e femrave në stadiume dhe futbolli i femrave
"Duhet të jemi disi më të prirur për të ndihmuar femrat të vijnë në stadiume. Cfarë i jep tifozi skuadrës së tij duke sharë nga nëna lojtarët e skuadrës kundërshtare? Futbollin e femrave ne e financojmë direkt. Kemi projekt incentivimi për futbollin e vajzave".
Armand Duka nuk e pranon që mund të ketë influencuar te emrat fitues në “Më të Mirët 2022”
"Nuk jam pjesë e vlerësimit për çmimet e vitit 2022. I kam ndjekur nga salla ashtu siç i keni ndjekur ju të gjithë. Ka mekanizma që caktojnë se ku do të shkojnë çmimet. Janë çështje shumë subjektive".
