Sfumohet dosja e korrupsionit në Lushnje, pas nënkryetarit fiton lirinë dhe ish-kryebashkiaku

Ish kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe është liruar nga burgu me vendim të gjykatës. Ndërkohë që gjyqi i themelit ndaj tij vijon në apel, togat e zeza konstatuan se ish zyrtari i lartë ka plotësuar kohën e qëndrimit në qeli prej 2 vjet e 4 muaj të caktuar si dënim ndaj tij nga shkalla e parë për abuzim me tenderat.

Ish kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe është liruar nga burgu me vendim të Gjykatës së Apelit e cila ka konstatuar shuarjen e masës së arrestit me burg.

Zyrtari i lartë ranë pranga në fund të korrikut të vitit 2021 me urdhër të SPAK pasi u akuzua  së bashku me 21 persona të tjerë për abuzimin më tenderin me fond 24 milion lekë për kanalin vaditës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj, duke favorizuar firmën fituese EuroAlb shpk me ofertën më të lartë.

Më 29 korrik  2022 Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për ish-kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe dhe 18 të dyshuarit e tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Ish kryebashkiakun gjykata e shpalli të pafajshëm për shkelje të barazisë në tendera, i cili u gjet fajtor për shpërdorim detyre, dhe u dënua me 3.6 vite burg. Tushe përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe për pasojë vuajti 2 vite e 4 muaj burgim dhe 5 vite përjashtim nga funksionet publike.

Ndërkohë që gjyqi për themelin vazhdon në apel, masa e arrestit me burg është shuar pasi ish kryebashkiaku e ka kryer periudhën e dënimit me 2.4 vjet dhe nuk mund të mbahet në qeli.

Firma që fitoi tenderin për të cilin u akuzua Tushe nënkotraktoi për kryerjen e punimeve një kompani tjetër të biznesmenit Ibrahim Lami, mik me Tushen dhe me lidhje familjare me biznesmenin që fitoi tenderin, Bujar Muratin. Vetë kryebashkiaku nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën.