Thethi me borë, Oboti nën ujë/ Aksi Qafë-Thorë - Theth i bllokuar nga orteqet, 1400 ha tokë e përmbytur në Shkodër
Moti në veri të vendit vijon të shkaktojë probleme. Zona e Thethit mbetet e bllokuar për shkak të orteqeve në Qafë Thore. Ndërkohë, në Nënshkodër 1400 hektarë mbeten nën ujë.
Këto pamje vijnë nga rruga Bogë-Qafë Thore.
Trashësia e dëborës ka kalur 1 metër, ndërsa rruga është e hapur.
Mjedisi piktoresk të ofron një pamje të mahnitshme këto kohë.
Por, problematika shfaqen nga Qafë-Thorja deri në Theth, aty ku rruga prej ditësh është e bllokuar.
Orteqet me dëborë e kanë bërë të pamundur hapjen e aksit.
Majlinda Angoni, Prefekte e Qarkut: "Është momenti nga ora 5:00 mbasdite, që ka ulje të temperaturave dhe bora ngrin. Është bërë e mundur ndërhyrja që dhe jeta e njerëzve të jet më e sigurt dhe nga orteqet"
Ndërkohë në zonën e Nënshkodrës situata vijon të jetë e rënduar.
Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë sjellë shtimin e sipërfaqes së përmbytur atje.
Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile të kësaj bashkie, sipërfaqja e përmbytur është rritur në 1400 hektarë, pjesa më e madhe e të cilës ndodhet në Njësinë Administrative Ana e Malit.
Rruga e Obotit ka prezencë uji 90 cm, ndërkohë që uji ka hyrë në 30 banesa të këtij fshati.
Edhe aksi rrugor Shirq-Darragjat është i pakalueshëm, pasi ka prezencë uji në një lartësi 80 centimetër.

