Kapet në Morinë 53 vjeçari nga Kosova në kërkim në Gjermani për krime ekonomike
Një 53 vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë në pikën kufitare të Morinës.
Ai akuzohet për krime ekonomike me pasoja të rënda në shtetin gjerman.
Në bashkëpunim me Interpol Tirana u arrestua XH. K, 53 vjeç, banues në Pejë.
"Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar i shpallur në kërkim nga autoritetet gjermane, pasi Gjykata e Hamburgut, me vendimin e datës 14.12.2018, e ka dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim, për veprat penale "Vjedhja me pasoja të rënda" dhe "Mashtrimi ", parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë," njoftoi policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit e Policisë Tropojë arrestuan përkohësisht këtë shtetas, me qëllim ekstradimin drejt Gjermanisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, vijon procedurat për ekstradimin e 53-vjeçarit.