“Krahët e krimit”/ Shtëpi bari dhe arsenal armësh në Shijak, Fredi Krasniqi del para gjykatës

Fredi Krasniqi, i cili u arrestua pak ditë më parë pasi në banesën e tij 4-katëshe në Shijak kultivoheshin bimë narkotike është paraqitur në gjykatën e Durrësit ër t’u njohur me masën e arrestit ndaj tij.

Ndërsa trupa gjykuese kryesohet nga gjyqtarja Shpëtime Pitaku, mësohet se në prokurori Fredi Krasniqi ka deklaruar se armët që iu gjetën në shtëpi janë të vitit 1997.

“Prej pak minutash i pandehuri ndodhet në gjykatë në pritje të fillimit te seancës, pasi salla është e zënë nga një seancë gjyqesore penale që ka filluar më herët”, raporton gazetari Mark Brunga.

Në prokurori Krasniqi ka deklaruar se ka probleme për të ndërhyrë me një operacion të vështirë në këmbë, pasi nga problemet në kocka ka vështirësi në ecje normale.

Megaoperacioni “Krahët e krimit” që u zhvillua në 24 janar zbuloi  pas një hetimi prej më shumë se tre muaj se në një vilë 4-katëshe kultivohej bimë narkotike. Banesa në pronësi të vëllezërve Fredi dhe Selman Krasniqi, dy katet i kishte për kultivim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit në këto dy kate, u gjetën dhe u sekuestruan 444 bimë narkotike kanabis, 222 llamba elektrike dhe pajisje të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.

Ndërkohë në një ambient me mur të dyfishtë policia ka gjetur një arsenal armësh konkretisht 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik shars, granata dore, një hark luftarak, një jelek antiplumb, një palë dylbi dhe municion luftarak që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Hetuesit kanë dyshime të forta se pas këtij aktiviteti është i përfshirë një grup i strukturuar kriminal që operon në këtë zonë. Mësohet se janë të paktën 6 persona të tjerë të përfshirë në këtë grup, të cilët po mbahen në vëzhgim, identiteti i të cilëve mbahet i fshehtë për shkak të hetimeve.