Shuhen "sytë" e krimit në Vlorë, hiqen 16 kamera që kontrolloheshin nga grupet kriminale

Policia dhe qytetarët në Vlorë konfirmohet se janë në monitorimin e grupeve kriminale përmes kamerave të sigurisë të vendosura në pjesë të ndryshme të qytetit bregdetar, ku vetëm këtë të enjte u hoqën 16 të tilla. “Big Brotheri" real me regji kriminale u zbulua fillimisht në Shkodër, ku deri tani janë zbuluar 59 kamera që kontrolloheshin përmes celularëve.

Janë sytë dixhitalë dhe spiunët e individëve ose grupeve kriminale në qytete.

Policia dhe qytetarët e Vlorës konfirmohet se janë nën monitorim përmes kamerave të paligjshme të sigurisë.

16 të tilla u zbuluan dhe çaktivizuan në ditën e parë të aksionit tashmë kombëtar të Policisë së Shtetit në qytetin bregdetar, ku niveli i kriminalitetit ndër vite ka qenë i lartë.

Kamerat ishin vendosur në zona me frekuentim masiv.

Deri tani janë konfirmuar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.

Policia thotë se sinjalet dërgoheshin në aparate celulare të shtetasve të ndryshëm.

"Big Brotheri" në jetën reale u zbulua fillimisht në Shkodër.

59 kamera sigurie të paligjshme u zbuluan në rrugët më të frekuenturara të kryeqendrës së veriut në dy fazat e operacionit tashmë kombëtar të Koduar “Fijet”.

Sipas uniformave blu, qëllimi i instalimit të këtyre kamerave ishte sigurimi i informacioneve për qëllime kriminale dhe monitorimi i lëvizjes së forcave të policisë në situata të ndryshme.

Por identifikimi i personave që vendosën kamerat është mision i vështirë për agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri.

Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.