Pas Durrësit, rrëshqitje dherash dhe në Selenicë, banorët bllokojnë rrugën me gurë
Reshjet e shumta të shiut kanë bërë që në disa akse të vendit të ketë rrëshqitje dherash e bllokim të rrugëve.
Pas Kodrës së Currilave në Durrës, rrëshqitje dherash ka patur dhe në bashkinë Selenicë.
Si pasojë e rëshkitjes së dherave po rrezikohet edhe rruga që të çon në drejtim të Sevasterit, Amantias, Ploçës. Aksi mbetet i pakalueshëm për automjetet e zonës.
Shirat e rënë në zonë kanë sjellë gërryerjen e bazës së rrugës që lidh fshatrat e njësisë Sevaster me qytetin e Vlorës. Aksi rrugor në afërsi të fshatit Ploçë është kthyer i rrezikshëm për banorët e zonës.
Vetë banorët kanë dërguar pamje ku tregojnë se rruga është dëmtuar e me vijim e shirave mund të kthehet në fatale për banorët. Ata thonë se kanë njoftuar autoritetet por nuk është marrë asnjë masë.
Janë vetë banorët që kanë vendosur disa gurë për të ndaluar kalimin.Sipas tyre rruga është e rrezikshme dhe shkarja e dherave po vijon. Ata kërkojnë ndërhyrje pasi aksi bllokon disa fshatra.
