"Erozioni rrezikon bregdetin", Kodra e Currilave "bie" në rrugë, shëtitoren e Kunes e merr deti

Erozioni po rrezikon zonat bregdetare. Të hënën, kodra e Currilave në Durrës pësoj disa rrëshqitje të cilat bllokuan rrugën kryesore për orë të tëra. Ndërkohë në Shëngjin shëtitorja  e Kunes është duke rrëshqitur e gjitha për shkak të erozionit detar.

Kodra e Currilave në Durrës ka rrëshqitur përsëri.

Masivi i dherave u shkëput nga kodra,  për të disatën herë, vitet e fundit, rruga u blloku.

Pavarësisht se pushteti lokal dhe qëndror disa herë ka thënë se po punojnë për rehabilitimin e zonës, një gjë e tillë jo vetëm nuk është bërë por bizneset poshtë kodrës po rrezikohen nga rrëshqitjet e vazhdueshme.

Për disa orë të tëra të hënën rruga ishte tërësisht e bllokuar.

Me problematikën e rrëshqitjeve po përballet edhe një zonë tjetër turistike.

E ndërtuar në vitin 2020 me kontributet e bizneseve në zonë, shëtitoren e Kunes në Shëngjin po e merr deti.

Shëtitorja ka marrë dëmtime serioze, ndërsa kjo gjë ka shqetësuar bizneset.

"Gjendja emergjente zhbëhet me ndërtimin e strukturave dallgëthyese që ta zbusë e frenojë situatën e erozionit në bregdet," tha eksperti.

 Erozioni detar në këtë zonë është shfaqur në masë gjatë viteve të fundit, duke gllabëruar sipërfaqe të madhe toke dhe pavarësisht alarmit deri tani, nuk është marre asnjë masë për të frenuar fenomenin.