Pa rrugë, ndriçim e në mes të mbeturinave, lagjja Kasapaj në Delvinë e harruar nga pushteti vendor
Lagjia Kasapaj në Delvinë është harruar nga pushteti vendor.
Donika Rumani një nga banoret e kësaj lagje duhet të kaloj përmes përroit për të mbërritur në banesën e saj.
"Këtu bie çorapi dhe dalim atje tutje, nuk kemi rrugë tjetër," tha ajo.
Prej vitesh thirrjet e banorëve për zgjidhje të problemeve janë injoruar nga Bashkia e Delvinës.
Sa herë bie shi ata janë në mëshirë të fatit. Uji dhe balta janë në dyert e shtëpive të tyre.
"Me lumin para portës. Nuk çan njeri kokën as bashkia, ku nuk kemi shkuar e jemi ankuar s'na ka dhënë një zgjidhje. Djalin e kam të sëmurë me reumatizëm," tha ajo.
Aty ku rrugët janë të shtruara gropat janë kthyer në problem për drejtuesit e automjeteve.
Banorët ankohen edhe për cilësinë e furnizimit me uji. Në rubinetat e tyre thonë se uji vjen i pistë.
"Depon e ujit të shkojmë ta hapim tani çezmën vjen era klor i gjallë. Shumica e tregtarëve shkojnë mbushin ujë në burime të tjera. Nuk pinë ujë nga ky," tha një banor.
Në lagje, natën mungon ndriçimi ndërsa kontenierët e mbeturinave pastrohen rrallë.
"Drita në rrugë që i paguajmë nuk kemi. Për pastrimin, koshat rrinë nga 10-15 ditë pa pastruar," tha ai.
Banorët kërkojnë që taksat që i paguajnë rregullisht t`ju kthehen në investime, mungesa e të cilave ua ka vështirësuar jetën.
