Berisha thirrje Ramës për debat: Je armiku im! E do pushtetin për t’u pasuruar

6 muaj nga betimi në shesh para qytetarëve që iu bashkuan frontit për shpëtimin, Sali Berisha shpall një tjetër detyrim ndaj shqiptarëve.

 “Pastaj në ia mbajtë, të vijë Edi Rama me mua në debat. Të dalë pak. T’i tregoj se sa i vlen lëkura atij. E ftoj, pavarësisht se nuk dua të ulem kurrë me të, por detyrimi ndaj qytetarëve më imponon,” tha ai.

Është i bindur per 14 majin, pavarësisht taktikave të kundërshtarëve të brendshëm. 

Garantoi se do të dalë me kandidatët e shpallur nga primaret, pasi këtë të drejtë ia ka dhënë gjykata.

“Ne kemi vulën, flamurin, siglën dhe flamurin në përputhje me ligjin. Ne do marrim pjesë në zgjedhje.Ne kemi bërë përgatitjet më serioze në historinë tonë elektorale. Dhe vazhdojmë me intensitet,” tha ai.

Ndaj Ambasadores amerikane në Tiranë ruan të njëjtin pozicion.

“Me këtë rast, demokratët dhe shqiptarët kanë kuptuar se Amerika është vendi i vlerave, parimeve dhe lirisë, por ka edhe ajo problemin e saj me mafien e George Soros, e cila nuk njeh parime, nuk njeh vlera dhe as interesa amerikane,” tha ai.

PD ka ngritur një hetim ndaj Lulzim Bashës, ku prej 4 muajsh nuk ka asnjë konkluzion.

Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp, gazetarët ia kujtuan këtë çështje.

 “Shumë shpejt ky proces do përfundojë. Është zgjatur për arsye teknike dhe shumë shpejt do të përfundojë,” tha ai.

Kryetari i demokratëve tha se opozita nuk do të heqë dorë nga nismat për zbardhjen e  aferave të kryeministrit.

Duke iu referuar drejtësisë, ai tha se këtë punë do ta bëjë Kuvendi dhe Edi Rama do hetohet për udhëtimet me çarter dhe çdo fluturim apo destinacion të dyshimtë.