Rreziku i luftës ‘te dera”, historianët: Të mos neglizhohet situata në Ukrainë

Lufta në Ukrainë për historianët tregon se rreziku nga lufta është real ndaj dhe institucionet duhet të tregohen të vëmendshme. Duke sjellë fakte për Luftën Antifashiste në zonën e Skraparit, ekpertët e fushës e shohin me rëndësi rishikrimin e historisë.

Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë tregoi se rreziku për një luftë tjetër është real.

Historiani, Paskal Milo, thotë se vigjilenca nuk duhet të mungojë, duke u bërë thirrje institucioneve për kujdes.

"Lufta në Ukrainë po dëshmon se kërcënimet dhe rreziqet e një lufte të re nuk janë imagjinare por reale. Në këtë konjukturë ndërkombëtare përkujtimi i ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, tërheqja e vëmendjes, rritja e vigjilencës dhe shtimi i masave mbrojtëse nuk është nostalgji për për të shkuarëm".

Duke folur për kontributin e zonës së Skraparit në luftën Nacional Çlirimtare, Milo tha se rishikimi i historisë është i domosdoshëm, në mënyrë që të shkruhet drejt për këdo që ka dhënë ndikim.

"Antifashizmi si koncept dhe lëvizje nuk duhet identifikuar me komunizmin. Ajo çka unë dua të qëndroj është rreth disa vlerësimeve për ngjarje, por edhe për individë që kanë luftuar dhe kanë kontribuar në Skrapar dhe që shpesh historia i ka lëë mënjanë, ose i ka hiperbolizuar ose i ka mohuar."

Konferenca shkencore për veçoritë e Luftës Antifashiste në krahinën e Skraparit solli në vëmendje edhe rëndësinë e publikimit të fakteve në mënyrë të drejtë.