Situata në Shkodër, Spahia: Mjaftojnë pak reshje për të krijuar përmbytje. Askush s’merr përsipër dëmet

Kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia ka dalë në terren për t’u njohur nga afër me situatën në zonat e përmbytura ndërsa tha se e njëjta situatë përsëritet brenda një harku të shkurtër kohor.

Nga zona e Anës së Malit, ai u shpreh se mjaftojnë pak reshje për të krijuar përmbytje dhe për të izouar këto zona, duke vendosur në vështirësi serioze qindra familje këtu.

“Përsëritet e njëjta situatë. Problematikat janë të shumta. Mungesa e energjisë për fshatrat është kthyer në problem serioz. Duhet vënë dorë njëherë e mirë për këto banorë. Duhen masa afatgjate. Mjaft është mjaft, banorët të mos lihen të vetëm. Është një barrë ekonomike në xhepat e këtyre banorëve, po lihen në vetmi.

Askush nuk merr përsipër kompensimin e dëmeve. KESH përveç se të përfitojë nga shitja e energjisë, të marrë përsipër dëmin e banorëve. Ngre dyshimet e mija për menaxhimin e kaskadës së Drinit”, tha kryebashkiaku Spahia.

Ndërkohë kreu i njësisë administrative Ana e Malit, Arben Ceni ka thënë situata është e përkeqësuar dhe se kjo gjendje po kalon në krim.

“Situata e përkeqësuar. Kjo gjendje po kalon në krim. Me 1 përmbytje nuk kemi energji elektrike. Nuk kërkojmë lëmoshë, as ndihma, por t'i japin zgjidhje. Kemi marrë masat tona sa kemi pasur mundësi. Nuk bën më kështu se nuk po ka zgjidhje”, tha Ceni.